Kryeministri Edi Rama ka ftuar emigrantët shqiptarë të kthehen në vendin e tyre dhe të investojnë në sektorin e agroturizmit. Gjatë një bashkëbisedimi me një çift nga Tragjasi i Vlorës, të cilët kanë një agroturizëm, në podcastin e tij “Flasim”, Rama theksoi se të ardhurat që mund të sigurohen nga ky sektor në Shqipëri janë më të favorshme se në Gjermani.
“Gjermania është bërë e vështirë për vetë gjermanët, jo më për ne,” deklaroi ai, duke theksuar se emigrantët mund të gjejnë mundësi më të mira për fitim në vendlindje.
Mbështetje e re për agroturizmin
Kryeministri njoftoi se shumë shpejt do të shpallet një program i ri mbështetjeje financiare për agroturizmin, duke përfshirë lehtësira të mëdha fiskale dhe financiare:
•Taksa të ulëta: Agroturizmi ka taksë mbi vlerën e shtuar (TVSH) prej vetëm 6%, ndërsa për disa kategori të vogla ajo është e përjashtuar.
•Financim i kombinuar: Programi do të përfshijë një kombinim të kredisë së butë dhe granteve, për t’i ndihmuar sipërmarrësit që të zhvillojnë aktivitetet e tyre.
Rama për emigrantët në Gjermani
Duke iu referuar djalit të çiftit që jeton në Gjermani dhe punon si marangoz, Rama tha:
“Në Gjermani ka taksa, transporte dhe kosto të tjera. Nëse vjen në Shqipëri dhe zgjeroni atë që keni bërë, do të fitoni më shumë. E kam parë agroturizmin tuaj, është një mrekulli. Tokën e keni, mbështetjen financiare do ta merrni.”
Kryeministri theksoi se kthimi i emigrantëve për të investuar në agroturizëm është një mundësi për të rigjallëruar ekonominë rurale dhe për të forcuar lidhjet me vendlindjen.
“Agroturizmi ka potencial të jashtëzakonshëm. Në vend që të punojnë atje, le të investojnë këtu. Shqipëria ka tokë, klimë dhe lehtësira fiskale që shumë vende të tjera nuk i ofrojnë,” përfundoi Rama.