Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj kritikëve që i kërkojnë të largohet nga politika, duke deklaruar se nuk do ta bëjë këtë pasi ka një “luftë për të mbaruar”. Ai shprehu bindjen se Shqipëria do të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian deri në vitin 2030.
“Nuk iki, sepse kam një luftë për të mbaruar”, u shpreh Rama. “Nuk e kam thënë ndonjëherë, por mua më futi në këtë luftë shiu dhe balta e varrezave të Sharrës. Kur përcolla tim atë, u ktheva në shtëpi sikur të kisha dalë nga një luftë, me baltën deri në gju. Pastaj rruga e jetës politike më nxori në krye të Bashkisë së Tiranës.”
Ai e cilësoi betejën e tij politike si një përballje me “llumin dhe detin e paragjykimeve”, duke shtuar se qëllimi i tij është ta bëjë Shqipërinë shtetin më të ri të BE-së në vitin 2030.
“Kjo e imja është një luftë me historinë dhe për historinë”, përfundoi Rama, duke nënvizuar se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga skena politike.