Rama ngushëllime për ndarjen nga jeta të Qazim Sejdinit: Elbasanlli i mençur e fjalëpakë

Kryeministri Edi Rama shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-kryebashkiakut të Elbasanit, Qazim Sejdini.

“Mik. Elbasanlli i mençur e fjalëpakë. Kryebashkiak i mirë dhe burrë zotni”, shkruan Rama në një postim në rrjetet sociale.

“La një gjurmë në historinë e qytetit dhe një kujtim të mirë tek shumë miq që bëri në jetën e tij pa zhurmë. Prehu në paqe i dashur Qazim”, thekson Rama.

Qazim Sejdini u nda sot nga jeta në moshën 73-vjeçare, pasi vuante nga një sëmundje e rëndë. Qazim Sejdini ka qëndruar në krye të Bashkisë Elbasan për 3 mandate nën siglën e Partisë Socialiste.

Në vitin 2007 ai kandidoi për kryebashkiak i Elbasanit dhe fitoi zgjedhjet, ndërsa qëndroi në krye të Bashkisë për 12 vite.