Rama nga Vlora: Ka ikur koha e deputetëve që japin zgjidhje nga kafeneja, duhet të dalin në terren dhe…

Kryeministri Edi Rama dha një deklaratë për mediat në Vlorë, ku theksoi rëndësinë e shërbimit të drejtpërdrejtë ndaj qytetarëve nga deputetët dhe drejtuesit lokalë.

Ai u ndal te problematika e hapësirave publike, parkimeve, ujit të pijshëm dhe menaxhimit të administratës në Vlorë, duke paralajmëruar reforma dhe angazhim më të madh në terren.

Edi Rama:

Ka ikur koha e deputetëve që japin zgjidhje të problemeve nga kafeneja. Duhet që ata të dalin në terren dhe t’i shërbejnë qytetarëve.

Problemi i hapësirave publike është një problem që po trajtohet në terren. Nuk ka tendencë për t’i zënë frymën bizneseve. Tendenca është që të harmonizohen interesat e të dyja palëve, biznesit dhe qytetarëve. Zaptimi i trotuarit është i papranueshëm. Trotuari duhet të jetë i dedikuar vetëm për këmbësorët. Të gjitha njësitë e shërbimit në Lungomare do të kenë një dizajn të ri për të harmonizuar nevojën dhe interesin e tyre. Problematika e zënies së hapësirës publike është në çdo rrugë dhe në çdo rrugë do të veprohet.

Problemi tjetër i Vlorës janë parkimet. Kemi filluar punën për dy parkime publike dhe do të hapim të tjera investime në vijimësi. Por kjo gjë nuk justifikon parkimin në kundërshtim me ligjin duke zënë hapësirën e këmbësorëve. Policia Rrugore do të jetë shumë e ashpër në këtë drejtim.

Problemi i ujit të pijshëm është një tjetër problem i adresuar. Për shkak të ngarkesës që ka qyteti në këtë periudhë dhe për shkak të investimeve, çfarë kemi konstatuar është një keqmenaxhim vitet e fundit i ujësjellësit të Vlorës në këtë drejtim. Ka një abuzim madhor për konsumimin e ujit të pijshëm për të vaditur bahçet dhe tokat bujqësore. Ministria po përgatit një paketë për ta reformuar këtë sektor me qëllimin përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm, kryesisht në zonat turistike.

Drejtues të bashkisë së dorëhequr kanë treguar se janë të papërshtatshëm për ta kryer atë detyrë. Ndërkohë që atyre mund t’u jepen mundësi të reja në të ardhmen, por dua t’i bëj thirrje që të gjithë ata që vijnë të shërbejnë si duhet. Ne do të jemi shumë kërkues sa i përket shërbimeve dhe emërimeve të tyre sipas meritës. E njëjta gjë do të vlejë edhe për drejtuesit e institucioneve qendrore në Vlorë, të cilët janë dorëhequr. Asnjë person që ka mbuluar funksionet publike nuk do të riemerret si drejtues në këtë fazë. Të gjithë drejtuesit do të merren të rinj. Të gjithë janë të mirëpritur të kontribuojnë më shumë për qytetin.

Të gjithë ata që kanë studiuar në Vlorë, në Tiranë apo jashtë vendit dhe që janë të dëshiruar të shërbejnë në administratën e shtetit apo në administratën e Vlorës, që punojnë kamarier apo punë të tjera, janë të pritur të vijnë dhe të konkurrojnë për postet përkatëse. Bashkia do të konfirmojë të gjitha dorëheqjet dhe do të hapë garën për udhëheqës të rinj.

Ajo që ne kemi bërë në Vlorë me grupin e deputetëve që na dha një rezultat tepër të mirë, është vetëm hapi i parë për disa reforma në vijim që do të ofrohen.

Një kapitull i ri do të fillojë edhe për Partinë Socialiste të Vlorës, ku janë komanduar dy bashkëqytetarë të rinj, Erjona dhe Klevisi. Erjona është edhe deputete, ndërkohë që Klevisi është këtu në Vlorë për të mbajtur shtypin hapur në mënyrë të pandërprerë, shtëpinë e Partisë Socialiste.

Të gjithë kryetarët e organizatave politike do të vlerësohen sipas shërbimit të tyre më 11 maj. Ndërkohë partia do të hapet totalisht për të krijuar grupe të reja për të ftuar individë të rinj të jenë kontribues. Do të hapen edhe grupet me qytetarët për të evidentuar çdo gjë në terren në kohë reale.

Këtu nuk ka të majtë dhe të djathtë. Këtu, tek ne, ka parazitë dhe njerëz që janë të gatshëm për t’i shërbyer Vlorës. Parazitët janë edhe të majtë edhe të djathtë, ndërsa edhe këta që janë të aftë janë edhe të majtë edhe të djathtë. Ne jemi me këta të dytët, pavarësisht ngjyrimeve politike. Kjo është qasja që ne kemi zgjedhur dhe besoj se kjo qasje do të sjellë vetëm gjëra të mira për Vlorën.