Rama nga Shkodra: Mos dilni nga treni i fitores së PS, ta provojë njëherë “budallain e gjatë”

Në takimin përmbyllës të fushatës në Shkodër, kryeministri Edi Rama bëri thirrje për një ndryshim politik në qytetin verior, duke u kërkuar qytetarëve që t’i bashkohen fitores së Partisë Socialiste në gjithë Shqipërinë.

Ai u shpreh se pas 33 vitesh të një drejtimi të njëanshëm, ka ardhur koha që Shkodra të ndjekë një rrugë të re dhe u shpreh me humor se qytetarët “ta provojnë njëherë edhe budallain e gjatë”.

Pjesë nga fjala e Ramës:

Shpresoj që Shkodra të mos dalë veç nga treni i fitores tonë në të gjithë Shqipërinë, që Shkodra ta ketë kapërcyer problemin psikologjik që kishte falë këtyre dy viteve se me thënë të drejtën ma ka nxi jetën. Vija këtu, fol e fol, kot. Bum! Humbje. Edhe thosha ca njerëzish janë këta, si ka mundësi që jetojnë mes plehrave, që jetojnë në këtë qytet që ka më shumë se të tjerët bekimet e zotit, me lum, liqen, det e mal dhe këta janë sikur jetojnë në 90. Të paktën të thonë po mirë mo hajt ta provojmë njëherë këtë budallin e gjatë. Se i provuam këta të mençurit dhe na mbajtën në bërllok.

Komunizmi ka vdekur me kohë, edhe Shkodra i shërbente vetëm dy njerëzve një të vdekur dhe një të gjalli, që sot ka vdekur po kujton se është gjallë. I pari Enver Hoxha, matanë në botën tjetër, ka jetuar me kënaqësinë që shkodranët i qëndruan deri në fund mallkimit të tij dhe u vetë izoluan me një komunizëm që nuk ekzistonte më. I mbajti peng Hoxha 30 e kusur vite, ndërkohë që i besonin bufit që erdhi nga komunizmi dhe përdori të gjithë metodat e komunizmit.

 

Por Luçianon Pavarottin të vërtetin Shkodra e ka dëgjuar msheftas. Tani sjell Luçianon nga Elbasani. Ç’punë ka ai këtu? Do të drejtojë Shkodrën? Kaq pa mend e pa tru as me drejtuar shtëpinë tuaj iu mendon bufi juve demokratëve të Shkodrës. Kaq çyryk ju di bufi ju, që s’keni një njeri t’ju drejtojë por ju sjell Luciano fake Bavarotin qëe e fitoi Elbasanin para 4 vitesh dhe doli dhe thoshte na e vodhi elektronika votat?”, u shpreh Rama.