Rama nga Samiti në Shkup: Plani i rritjes po ecën mirë, Shqipëria më afër se kurrë BE-së

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mbajtur një deklaratë për mediat këtë të martë nga Shkupi, ku po zhvillohet dita e dytë e Samitit të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Planit të Rritjes për rajonin.

Në fjalën e tij, Rama u shpreh se Plani i Rritjes po ecën sipas pritshmërive, duke theksuar se Shqipëria ka përmbushur të gjitha pikat e deritanishme dhe po vijon punën sipas kalendarit të dakordësuar me Komisionin Europian.

“Një plan i cili po ecën si duhet dhe po na afron përditë edhe më shumë me Bashkimin Europian. Ne jemi shumë krenarë sepse kemi praktikisht përmbushur deri tani të gjitha pikat për zbatimin dhe vazhdojmë me pikat e tjera sipas kalendarit,” deklaroi Rama.

Kryeministri nënvizoi gjithashtu se Shqipëria nuk ka qenë asnjëherë më pranë realizimit të aspiratës për anëtarësim në Bashkimin Europian, një qëllim që, siç tha ai, është një ëndërr shumë shekullore për popullin shqiptar.

“Kurrë nuk kemi qenë më afër realizimit të një aspirate shumë shekullore, do të thosha, dhe nga ana tjetër më vjen mirë që ka një atmosferë pozitive. Jemi shumë afër dhe besoj që do përmbushim të gjitha detyrimet tona siç kemi paraparë afatet nga Komisioni Europian dhe plani i përbashkët të realizohet siç duhet.”

Samiti i Ballkanit Perëndimor në Shkup po zhvillohet me pjesëmarrjen e liderëve të vendeve të rajonit dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, me fokus në zbatimin e Planit të Rritjes dhe integrimin gradual të rajonit në tregun e përbashkët evropian.