Rama nga Madridi: Ju pyesni ‘Po Shqipëria ç’dreqin do këtu?’ – Stigma ka ndryshuar, pasaporta s’duket më si e një vendi të dyshimtë

Kryeministri Edi Rama, nga Madridi ku nënshkroi marrëveshjen për organizimin e Kongresit Botëror të Ligjit në Shqipëri në vitin 2027, ka deklaruar se imazhi i Shqipërisë ka ndryshuar ndjeshëm, duke sfiduar perceptimet e vjetra.

Në fjalën e tij, Rama iu drejtua të pranishmëve me tone ironike dhe të drejtpërdrejta, duke thënë:
“Imagjinoj që shumë prej jush mund të pyesni: ‘Po Shqipëria ç’dreqin do këtu?’ Shqipëria është larg së qenit vendi i zymtë që ju kanë përshkruar për shumë vite.”

Kryeministri theksoi se Shqipëria ka kapërcyer stigmën e një vendi të lidhur me krimin dhe korrupsionin, duke shtuar se kjo tablo ka qenë shpesh e ekzagjeruar.
“Në fakt, dielli shndrin në Shqipëri. Nuk është kurrë zymtë, nuk jemi një vend ‘kriminelësh, rrëmbyesish apo hajdutësh’. Sigurisht, kemi të tilla fenomene, por janë po aq sa në çdo vend tjetër,” u shpreh Rama.

Një pikë tjetër e rëndësishme në fjalimin e tij ishte edhe përmirësimi i imazhit të pasaportës shqiptare. Rama nënvizoi se ndër vite pasaporta shqiptare është parë si një dokument i dyshimtë, por kjo situatë ka ndryshuar.
“Pasaporta e Shqipërisë gjithmonë dukej si një dokument i dyshimtë, por kjo ka ndryshuar. Shqipëria është sot një vend më i hapur dhe me një imazh më të mirë ndërkombëtar.”

Nënshkrimi i marrëveshjes në Madrid për organizimin e Kongresit Botëror të Ligjit konsiderohet një hap i rëndësishëm për Shqipërinë, duke e vendosur vendin në qendër të vëmendjes ndërkombëtare në vitin 2027.