Rama nga Gjirokastra: Në pedonalen e Tepelenës lëvizin bionde nga Suedia, kujt i shkonte mendja!
Kryeministri Edi Rama, gjatë një vizite në jug të vendit, ka ironizuar zërat kritikë ndaj qeverisë duke deklaruar se realiteti në Shqipëri është krejt ndryshe nga ai që përshkruhet nga opozita.
Ai solli si shembull transformimin e Gjirokastrës, Tepelenës dhe Libohovës, duke theksuar se sot në pedonalen e Tepelenës sheh “bionde nga Suedia”, një skenë e paimagjinueshme dikur.
“Nuk duhet të dëgjoni kuak kuak kuakatë e kënetës, nuk duhet të pini as ujin e kënetës. Ata janë kori i bretkosave që i thotë çdo natë që këtu ka vetëm vrasje, s’ka bukë, ka krime. Ndërkohë që realiteti është krejt tjetër.
Kërkojnë të bëjnë manipulime të popullit, nxjerrin deklarata të miat dhe fillojnë me fjalimet. Thonë: ku i keni 300 mijë vende pune…
Ju e dini shumë mirë se çfarë ishte Gjirokastra, e Tepelena, vinin vetëm për ngushëllime ose për ndonjë dasëm, të merrnin nusen e të largoheshin prapë. Komandant, mos fol fare, mjafton të shohësh që në pedonalen e Tepelenës lëvizin bionde nga Suedia, kujt i kishte vajtur mendja. Libohova ka qenë një shkretëtirë kur kam shkelur unë, ishte si ato filmat bardh e zi me kauboj”, tha Rama.