Rama nga Athina: Shqipëria ka paga më të mira se Greqia, taksat më të ulëta! Do të zhvillojmë panair pune edhe në Itali

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Athinë, ku po merr pjesë në një panair pune, organizuar për të ftuar emigrantët shqiptarë të kthehen në atdhe. Gjatë takimeve me përfaqësues të kompanive që ofrojnë punësim në Shqipëri, Rama deklaroi se vendi ynë tashmë ka paga më të mira se Greqia, si dhe taksat më të ulëta.

Kreu i qeverisë theksoi se synimi është zhvillimi i dy panaireve të punës në vit në Greqi, ndërsa shumë shpejt një panair i tillë do të organizohet edhe në Itali.

“Ideja është që të kemi një panair të pranverës dhe një të vjeshtës në Greqi, pastaj edhe në Itali. Tani kemi bindjen se me pagat jemi më mirë se këtu. Besoj se për 1.5 deri në 2 vite do të jemi si Italia,” u shpreh Rama.

Panairi i punës në Greqi është një përpjekje për të tërhequr emigrantët shqiptarë drejt tregut të punës në vendin e tyre, me mundësi më të mira financiare dhe kushte më të favorshme fiskale.