Rama nga Athina: Mësoni çdo gjuhë europiane, por mos harroni që jeni shqiptarë!

Kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje emigrantëve shqiptarë që të mos harrojnë gjuhën dhe kulturën e tyre, pavarësisht se ku jetojnë. Gjatë një takimi me shqiptarët në Athinë, ai theksoi rëndësinë e ruajtjes së identitetit kombëtar, duke u kërkuar prindërve që t’u mësojnë fëmijëve gjuhën shqipe dhe historinë e Shqipërisë.

“Është detyrim i çdo prindi t’i japë fëmijës pasaportën europiane dhe t’i thotë: mëso gjuhën, mëso kulturën e vendit ku jeton, por mos harro kurrë se je shqiptar,” tha Rama. Ai shtoi se shqiptarët nuk duhet të ndihen të detyruar të ndryshojnë identitetin e tyre, pavarësisht integrimit në vendet ku jetojnë.

Rama kërkoi gjithashtu mbështetjen e shqiptarëve për zgjedhjet e 11 majit, duke theksuar se Partia Socialiste është forca politike që do të çojë Shqipërinë drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian deri në vitin 2030. “Me këtë pasaportë që ne po bëjmë të mundur për ju, ju do të respektoheni si europianë të barabartë,” u shpreh ai.

Në fund të fjalës së tij, kryeministri i bëri thirrje shqiptarëve të mos harrojnë flamurin kombëtar dhe të jenë krenarë për origjinën e tyre. “Nuk keni nevojë të ndërroni shqiponjën në flamurin e kuq. Ju do të jeni gjithmonë shqiponja,” përfundoi Rama.