Rama në UBT: Unë dhe rektori e çliruam nga pushtuesit
Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në një aktivitet për Universitetin Bujqësor të Tiranës (UBT), i cili do të ofrojë 9 programe të reja sipas modelit të universitetit BOKU në Vjenë.
Në fjalën e tij, Rama tha se asnjë universitet tjetër në Shqipëri nuk ka ndërmarrë një reformë kaq të thellë dhe të ngjashme me atë që po ndodh në UBT.
Sipas tij, UBT ka pasur dy periudha në historinë e vet: një periudhë ekselence para viteve ’90, dhe më pas një fazë të rrënimit. Ai u shpreh se universiteti ishte kthyer në një vend të braktisur dhe të zaptuar, ku për të hyrë në klasë duhej kaluar përmes ndërtimeve të paligjshme dhe tregtisë së rrugës.
“Kjo që po ndodh sot është një reformë e thellë, evropiane dhe shumë e nevojshme,” tha Rama, duke theksuar se UBT po kthehet në një pikë referimi për arsimin dhe zhvillimin rural në vend.
Pjesë nga fjala e Ramës:
“Asnjë universitet në Shqipëri, e them me përgjegjësi, s’e ka bërë këtë që po bën UBT. Dhe në asnjë universitet në Shqipëri nuk mund të gjesh sot për sot këtë perspektivë që ka hapur kjo reformë reale evropiane, rrënjësore në UBT. UBT, për hir të së vërtetës, ka kaluar dy faza në historinë e vet. Një fazë të historisë së tij, kur ishte qendër ekselence reale në kushte të vështira dhe me mjete të kufizuara, por ishte pikë referimi dhe ishte koha përpara përmbysjes së regjimit. Kur UBT ishte njëkohësisht edhe burimi më i rëndësishëm i dijes për ato nevoja të bujqësisë dhe fshatit që kishte atëherë vendi. Ama pedagogët e UBT ishin akademikë e dijetarë të jashtëzakonshëm. Më pas UBT pati një fazë tjetër, ajo e rrënimit, e braktisjes dhe e degjenerimit publik të tij, ku përveç burimeve njerëzore brenda mureve të universitetit të trashëguara asgjë tjetër nuk mbeti aty. Rektori përsëriti disa herë një telefonatë a thua se ishte ndonjë zë profetik nga mali, por në fakt ishte pasi së bashku me rektorin, bëmë një ndërhyrje të rëndë dhe të turpshme për nga nevoja të çlirimit të universitetit nga pushtues që e kishin marrë të gjithë territorin për historitë e tyre që nga qoftet e deri te shitja e të brendshmeve. Dhe ishte vërtetë dramatike të hyje në atë universitet për të shkuar në klasë duhet të kaloje nëpërmjet një pazari ndërtimesh të paligjshme dhe aktivitetesh tregtare.”, tha Rama.