Rama në Samitin e Europës: Trump-in e shpëtoi Zoti edhe për Europën, kontinenti ka një mundësi për t’u rishpikur

Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij në nisje të Samitit të Komunitetit Politik Europian në Tiranë, bëri një ndërthurje simbolike mes politikës dhe besimit, duke iu referuar presidentit të SHBA, Donald Trump dhe atentatit që iu bë gjatë fushatës presidenciale në Pensilvania, korrikun e kaluar.

“Kur Donald Trump tha se Zoti e shpëtoi nga plumbi sepse kishte një plan për Shtetet e Bashkuara, ai tha vetëm gjysmën e të vërtetës. Zoti ka një plan edhe për Europën,” u shpreh Rama, duke theksuar se kontinenti europian ka sot një mundësi të dhuruar për të rishpikur veten, për t’u kthyer në një hapësirë shprese dhe vizioni.

“Le të sigurohemi që rrugëtimi i Europës nuk është një udhëtim rrëmbimi si në pikturën e Veronese-s, por një udhëtim kthimi dhe rilindjeje, një kthim në shtëpi që gëlon me ëndrra për të ardhmen, të çliruar nga mitet e të shkuarës dhe aspak dyshim e frikë. Një shtëpi që nuk ngjan me formën e armëve, por me imagjinatën e fëmijëve tanë dhe etërve tanë themelues,” theksoi kryeministri.

Në përmbyllje, Rama nënvizoi se ky është një vizion që u takon liderëve të sotëm ta bëjnë realitet, duke e shndërruar Europën në një hapësirë paqeje, bashkëpunimi dhe frymëzimi për brezat që vijnë.