Rama: “Në Kadastër do të na lirohen shumë vende të zëna padrejtësisht”

Kryeministri Edi Rama  paralajmëroi se nga sektori i Kadastrës do të ketë shumë dorëheqje, për shkak të vendosjes edhe të sistemit të ri digjital.Gjatë fjalës së tij në një takim mbi monitorimin e territorit nga satelitët, Rama tha se do të këtë lëvizje nga shumë ata punonjës që kanë qëndruar në këtë institucion padrejtësisht.

Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë: Para 48 orësh, ASHK ka kaluar në një sistem të digjitalizuar dhe një marrëdhënie të digjitalizuar me qytetarin, gjë që ka krijuar një konfuzion të madh brenda sistemit tek individët e mësuar që t’i trajtojnë pronat e qytetarëve si mundësi për të trajtuar pushtetin e tyre të vogël si pushtet absolut mbi qytetarët. Nuk ka ndonjë problematikë përsa i përket shërbimit të qytetarëve. Ky transformim do të sjellë lehtësim të jashtëzkakonshëm për qytetarët dhe mundësi për të gjithë ata të rinj të shkolluar të gatshëm të shërbejnë për shtetin me paga konkurruese me tregun, siç do të jenë pagat e Kadastrës. Në Kadastër do të na lirohen shumë vende të zëna padrejtësisht.  Vijmë tek arsyeja pse jemi këtu sot. Sa shumë nënqeshje dhe përqeshje patëm kur lajmëruam futjen në këtë sistem. U desh disa kohë, pastaj në Shtatorin e kaluar firmosëm marrëveshjen për shërbimin satelitor për Republikën e Shqipërisë. Në Janar të këtij viti, në qendrën hapësinore Kenedi të NASA-s në Florida u krye dhe lëshimi në hapësirë i 2 satelitëve tanë, Albania 1 dhe Albania 2 dhe siç e patë deri në 21 Qershor, janë mbledhur imazhe të rëndësishme për 16 mijë e 324 kilometra katrorë të Republikës së Shqipërisë duke patur parasysh se ka qenë periudha më e bukur për gjelbërimit. Falë edhe këmbënguljes gjithmonë e më të mirënjohur dhe të Zv/kryeministres, edhe ofruesit e shërbimit u adaptuan me kërkesën për të shtuar numrin e satelitëve në dispozicion dhe përveç 2 satelitëve, u shtuan dhe 8 satelitë të tjerë nga kompania pa asnjë pagesë ekstra për të na furnizuar me më shumë imazhe në ato periudha kohe kur kishte më shumë mundësi që të lexohej territori. Ne mund të themi se kemi një bazë fantastike të leximit të territorit sipas nevojave të digasterve. Ajo hartë e bën të pamundur abuzimin me kilometrat e përmbytura për të rritur faturën në kurriz të shtetit sepse nga imazhet, shërbimet e ngarkuara për këtë punë, atë që ne e quajmë identifikimi i dëmeve, mund ta bëjmë vetëm me 1 imazh. Po ashtu, vlera e këtyre imazheve për disiplinën në ndërtim është e jashtëzakonshme, tanimë gjithçka mund të lexohet në kohë reale lidhur me shfrytëzimin e territorit për të ndërtuar dhe me ndërtimet pa leje.

Teksa u ndal te çështja e satelitëve, Rama tha se ata kanë kapur imazhe shumë të rëndësishme, duke shtuar se me ato arrihet të evidentohen përmbytjet, apo dhe parcela me kanabis.