Rama në intervistë për “El Mundo”: S’kam preferenca për zgjedhjet në Kosovë, Europa duhet të jetë e hapur ndaj emigracionit legal

Kryeministri Edi Rama, gjatë një vizite në Madrid, ka dhënë një intervistë për gazetën spanjolle “El Mundo”, ku ka folur për çështje të ndryshme ndërkombëtare, si zgjedhjet në Kosovë, situatën në Gaza, politikat e ish-presidentit Donald Trump dhe marrëveshjet për emigracionin me Italinë.

I pyetur për zgjedhjet që do të mbahen nesër në Kosovë, Rama theksoi se nuk ka asnjë preferencë për rezultatin, pasi ka marrëdhënie të mira me të gjithë kandidatët:
“Kosova është një vend demokratik, plot gjallëri dhe i larmishëm. Si gjithë vendet e Ballkanit, lufton me pasion dhe zhurmë, por kjo është normale. I uroj suksese dhe nuk kam asnjë preferencë për fituesin. Unë jam mik dhe i respektoj të gjithë.”

“Europa duhet të ndjekë një politikë të përbashkët migracioni”
Rama foli edhe për çështjet e emigracionit, duke i bërë thirrje Evropës që të krijojë një politikë të përbashkët për kontrollin e kufijve, por të mbetet e hapur ndaj imigracionit legal, duke respektuar të drejtat e emigrantëve.

Asnjë problem për refugjatët afganë në Shqipëri
Në intervistë, Rama siguroi se refugjatët afganë që jetojnë në Shqipëri nuk do të kenë asnjë problem, pavarësisht politikave të ish-presidentit Trump për pezullimin e fondeve të USAID. Sipas tij, Shqipëria është gati t’i strehojë ata për aq kohë sa të jetë e nevojshme:
“Nëse duan të qëndrojnë në vendin tonë, mund ta bëjnë. Nuk mund të kthehen në vendin e tyre dhe të ndalojnë dhunën. Për ne nuk janë shifra të mëdha, janë vetëm disa qindra njerëz.”

Sa i përket situatës në Gaza dhe planit për stabilizimin e saj, Rama nuk preferoi të jepte një koment të drejtpërdrejtë, duke u shprehur: “Plani duhet të qartësohet dhe të harmonizohet me të gjithë aktorët e përfshirë. Është ende herët për të dhënë një gjykim.”