Rama në “Hay Festival” në Uells: Jam krenar që jam mik me dhëndrin e Trumpit dhe djalin e Sorosit
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ishte i ftuar nderi në “Hay Festival” në Uells të Mbretërisë së Bashkuar këtë të shtunë, ku mori pjesë në një panel me figura të njohura të politikës dhe historisë europiane.
Tema e diskutimit ishte rikthimi i mundshëm i Donald Trump si president i SHBA-së dhe ndikimi i tij në Evropë.
Pjesë e panelit ishin edhe Alastair Campbell, ish-këshilltar dhe strateg komunikimi i Tony Blair-it, Misha Glenny, rektor i Institutit për Shkencat Humane në Vjenë, dhe historiania Anne Applebaum, e njohur për shkrimet e saj mbi komunizmin dhe zhvillimin e shoqërisë civile në Evropën Qendrore dhe Lindore.
Në diskutimin e tij, Rama u shpreh se ishte i bekuar me shumë miqësi dhe theksoi se ka marrëdhënie të mira me figura që janë në krahë të kundërt të spektrit politik global.
“Jam shumë krenar që jam mik me dhëndrin e Donald Trump-it, por në të njëjtën kohë jam shumë i lumtur që të them se jam mik edhe me armikun e tij, djalin e filantropit George Soros. Është gjë e mirë të kesh miq,” tha Rama para të pranishmëve.
Organizatorët e “Hay Festival” u fokusuan në debatin mbi ndikimet që mund të ketë një mandat i dytë i Trump në skenën globale, veçanërisht në kontekstin e proteksionizmit amerikan, rrezikut të vendosjes së tarifave, si dhe pasojave që mund të sjellë kjo në sigurinë evropiane dhe luftën kundër ndryshimeve klimatike.