Rama në Forumin GLOBSEC 2024:Duhet të falenderoj Putinin sepse falë tij BE e kuptoi që ta mbante pranë Ballkanin Perëndimor

Kryeministri Edi Rama ka falenderuar ironikisht Presidentin rus Vladimir Putin, duke “thumbuar” Bashkimin Europian për qëndrimin që mbante Brukseli ndaj Ballkanit përpara luftës në Ukrainë.

Duke folur në forumin e sigurisë GLOBSEC 2024 që mbahet në Pragë në temën “Rajoni nën rrethim: Brishtësia e Ballkanit Perëndimor”, Kryeministri Rama u shpreh se Bashkimi Europian e kuptoi rëndësinë e Ballkanit Perëndimor pas agresionit rus ndaj Ukrainës.

“Duhet të falenderoj Putinin sepse falë tij BE e kuptoi që ta mbante pranë Ballkanin Perëndimor. Është diçka fatkeqe që na duhej Vladimiri për ta bërë të qartë këtë gjë në mënyrën më kriminale.

Lufta në Ukrainë tronditi tërësisht status quon dhe BE nisi të ndërgjegjësohej gjithmonë e më shumë se sa i rëndësishëm është Ballkani Perëndimor për sigurinë e Europës. Ursula von der Layen luajti rol thelbësor për këtë duke qënë se ajo që prej ditës së parë u përpoq të riformësonte mesazhin që përcillej”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.