Rama në Divjakë: Do të hartojmë një projekt për zhvillimin rural të integruar

DIVJAKË- Kryeministri Edi Rama, në një bashkëbisedim me banorët e Divjakës foli për krijimin e një projekti pilot, i cili do bëjë bashkë të gjithë aktorët, qeverinë, Bashkinë dhe komunitetin për të çuar para zhvillimin e bujqësisë, turizmit dhe ekonominë e zonës.

Ai tha se Divjaka i plotëson të gjitha kushtet për të patur një model, i cili do t’i shërbejë më pas dhe zonave të tjera të Shqipërisë.

“Me Fondin e Zhvillimit kemi pasur disa eksperienca më të vogla në bashki të ndryshme të futjes së investimeve me një logjikë ekonomike. Investojmë dhe kërkojmë që të krijojmë të ardhura. Në Divjakë, duke qenë se ka shumë potencial dhe janë bërë shumë gjëra, dhe tani duhet bërë një lidhje zinxhir e të gjithave bashkë për të hartuar një projekt-pilot për zhvillim rural të integruar, të futemi bashkërisht si qeveria, bashkia, fondi i zhvillimit, komuniteti, donatorët dhe bizneset për të formuar një model të integruar, i cili do na shërbejë për më tej dhe t’ju themi bashkive të tjera ja ku e keni modelin”, u shpreh Rama.