Rama në dasmën e Alex Soros, Vogue publikon foton e kryeministrit me dhëndrin: Edi ngriti një nga dollitë më të mira të mbrëmjes
Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në ceremoninë e martesës së Alex Soros, djalit të filantropit dhe investitorit të njohur George Soros, me Huma Abedin, strategjiste politike dhe bashkëpunëtore e afërt e Hillary Clinton.
Dasma u zhvillua të shtunën në shtëpinë e çiftit në Water Mill, New York, ku morën pjesë figura VIP nga politika, biznesi, media dhe showbiz-i, përfshirë Bill e Hillary Clinton, Kamala Harris dhe financierin britanik James Rothschild.
Revista prestigjioze Vogue ka publikuar foto të kryeministrit shqiptar me dhëndrin Alex Soros dhe shkruan se Rama ka ngritur një nga dollitë më të mira të mbrëmjes, duke sjellë batuta dhe momente gazmore gjatë festës. “Edi ngriti një nga dollitë më të mira të mbrëmjes… ajo përfshinte një thënie rreth preferencës për vejushat e divorcuara. Duhej të ishe aty për ta kuptuar!”, shkruan Vogue.
Alex Soros, 39 vjeç, i cili ka një doktoratë në histori dhe ka marrë në dorë menaxhimin e financimeve të babait të tij, është bërë një figurë kryesore në botën e donatorëve progresistë dhe është shumë aktiv në rrjetet sociale.
Çifti kishte shpallur fejesën në korrik të vitit të kaluar, ndërsa martesa ishte planifikuar të mbahej fshehtas, por u bë publike gjatë një feste fejese të organizuar nga Hillary Clinton.