Rama në Bavari: Shtëpia jonë e përbashkët është rrethuar nga oshëtima e armëve! Europa, jo vetëm treg e monedhë, por..

Kryeministri Edi Rama ishte i ftuari special në ceremoninë e hapjes së festivalit prestigjioz “Herrenchiemsee Festspiele” në Bavari të Gjermanisë, një event kulturor me peshë të madhe ndërkombëtare ku çdo vit një personalitet diskuton mbi temën e Europës.

Në këtë aktivitet të rëndësishëm, Rama mbajti një fjalim të thellë reflektues mbi vlerat themelore që e bëjnë Europën më shumë se një bashkim politik apo ekonomik.

Në fjalën e tij, kreu i qeverisë shqiptare theksoi se Evropa nuk është vetëm një treg apo një monedhë e përbashkët, por një civilizim i ndërtuar mbi ndjeshmërinë, bukurinë dhe krijimtarinë njerëzore, duke vendosur në qendër rolin e kulturës dhe artit si forca që lidhin dhe frymëzojnë kontinentin.

“Shtëpia jonë e përbashkët është rrethuar nga oshëtima e armëve,” tha Rama, duke nënvizuar sfidat e sotme të kontinentit përballë krizave dhe konflikteve, por duke theksuar se përgjigjja duhet të vijë nga vlerat europiane, jo nga frika apo ndarja.

“Të gjendesh këtu, nën harqet e një pallati që lindi jo nga politika, por nga një ëndërr, një ëndërr për bukurinë, vetmine dhe përtejshmërinë, do të thotë të ndjesh diçka më të madhe se arkitektuara. Do të thotë të përqafosh një ide që është bërë e përjetshme. Dhe të ftohesh këtu, përpara jush, nuk është thjesht nder, është një privilegj i gjallë që do ta mbart me vete për gjithë jetën.

Ja ku jemi sot, në një kohë kur Evropa, shtëpia jonë e përbashkët, gjendet e rrethuar nga oshëtima e armëve, frika e copëtimit dhe tundimi për ta harruar atë që na mban të lidhur bashkë. Evropa nuk ka qenë kurrë një trakat ose një monedhë, as thjesht një parlament ose një treg.

Evropa ka qenë dhe mbetet një civilizim. Një mënyrë për të ndjerë botën, një mënyrë për të besuar se bukuria ka peshë politike, se arti nuk është luks po një mënyrë të jetuari. Ky festival në sfidën e tij të heshtur, është një mbledhje rezistence.
Rezistencë ndaj cinizmit që e mpak Evropën veç në burokraci. Rezistencë ndaj dëshpërimit që e sheh kulurën si dekor. Ne në Shqipëri e dimë se ç’tingull ka heshtja. Për dekada të tëra jetuam pas perdes së hekurt që e ndërtuam vetë.
E megjithatë edhe atëherë muzika e gjente rrugën e saj. Një kasetë e hyrë kontrabandë, një partiturë e ndaluar, një kujtim nga një koncert përpara se të ngriheshin muret. Sot muziakntët shqiptarë studiojnë në Mynih dhe Berlin muzikantët gjermanë performojnë në Tiranë. Kjo nuk është rastësi. Kjo është Evropa që bën atë për të cilën është krijuar, të bashkojë përmes krijimit, të lartësojë përmes shkëmbimit”, tha Rama.