Rama në aktivitetin për Inteligjencën Artificiale: Shqipëria po ecën me shpejtësi, prokurimet publike do të jenë pa kontakt njerëzor

Kryeministri Edi Rama ishte sot i pranishëm në javën Franko-Shqiptare për Inteligjencën Artificiale, Green AI, ku foli për progresin e Shqipërisë në fushën e teknologjisë dhe digjitalizimit. Rama theksoi se vendi ka bërë hapa të mëdhenj në drejtim të automatizimit dhe lehtësimit të shërbimeve publike për qytetarët.

“Rrugëtimi ynë nisi nga zero, dhe sot kemi krijuar një platformë që ka eliminuar pritjet në radhë dhe kontaktin e drejtpërdrejtë me sportelet. Qytetarët shqiptarë nuk kanë më nevojë të humbasin kohë dhe para për të marrë një dokument,” u shpreh kryeministri.

Ai njoftoi gjithashtu një projekt të rëndësishëm në bashkëpunim me Microsoft, ku prokurimet publike do të realizohen me inteligjencë artificiale në 95% të procesit, pa kontakte njerëzore. Ky model pritet të jetë i pari i këtij lloji në Europë dhe synohet të përfundojë deri në fund të vitit të ardhshëm.

Në fjalën e tij, Rama përshëndeti bashkëpunimin me Francën dhe nuk munguan as batutat. “Deri sot s’kemi bërë plan për ndonjë objekt bërthamor, kështu që besojmë te objektet e Francës për të na ndihmuar kur të kemi nevojë. Sa më pak mbretërorë bëheni, aq më humanë dukeni,” tha ai me humor.

Ky aktivitet shënon një tjetër hap në angazhimin e Shqipërisë për të zhvilluar teknologjinë dhe për të përshpejtuar procesin e integrimit europian përmes inovacionit.