Rama mobilizon deputetët e PS: Zbrisni në terren dhe evidentoni problematikat! Brenda 2 javësh, raport për Bashkinë e Tiranës
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një mbledhje të rëndësishme në selinë qendrore të Partisë Socialiste, ku ka thirrur të gjithë kandidatët për deputetë – si nga lista e hapur ashtu edhe ajo e mbyllur – që garuan nën siglën e PS-së në zgjedhjet e 11 majit.
Në qendër të diskutimeve ishte evidentimi i problematikave me të cilat përballen qytetarët në qarkun e Tiranës. Rama ka theksuar se është e domosdoshme që deputetët dhe kandidatët të jenë më pranë komunitetit, duke u angazhuar drejtpërdrejt në identifikimin e nevojave konkrete dhe shqetësimeve që kanë banorët.
Sipas burimeve nga brenda takimit, janë ngritur disa grupe pune që do të fokusohen në fusha kyçe të jetës urbane, përfshirë:
-Hapësirat publike,
-Shërbimet komunale,
-Çështjet e parkimit,
-Lejet e ndërtimit.
Rama ka dhënë porosi të qarta që brenda 2 javësh, çdo grup të përgatisë një raport të detajuar, i cili më pas do t’i dorëzohet Bashkisë së Tiranës. Qëllimi është hartimi i një plani të saktë veprimi për zgjidhjen e problematikave, i cili do të mundësojë një ndërhyrje më të shpejtë dhe efikase në terren.
Kryesocialisti ka garantuar gjithashtu se ministrat janë të gatshëm të ndihmojnë dhe të japin zgjidhje, duke u vendosur në funksion të drejtpërdrejtë të problematikave të ngritura nga qytetarët.