Rama mesazh ngushëllimi për vdekjen e tre ushtarëve amerikanë: Shqipëria qëndron gjithmonë në krah të SHBA-së

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas lajmit tragjik për tre ushtarët amerikanë që humbën jetën në Lituani gjatë një stërvitjeje ushtarake.

Në një postim në rrjetin social X, Rama shprehu ngushëllimet e tij për familjet e viktimave, duke theksuar se ky është një kujtim i dhimbshëm i rreziqeve që përballen ata që shërbejnë në ushtri. Ai theksoi se Shqipëria do të mbetet gjithmonë në krah të Shteteve të Bashkuara.

“Lajm tragjik nga Lituania. Humbja e ushtarëve amerikanë gjatë stërvitjes së fundit ushtarake është një kujtesë e dhimbshme e rreziqeve që mbartin ata që shërbejnë. Mendimet dhe lutjet tona janë me familjet e tyre. Si gjithmonë, Shqipëria qëndron në krah të Shteteve të Bashkuara dhe Komandantit të saj të Përgjithshëm”, shkroi Rama.

Ngjarja ka tronditur opinionin publik dhe ka sjellë reagime të shumta nga liderë botërorë, të cilët kanë shprehur ngushëllimet dhe solidaritetin e tyre me SHBA-në.