Rama mesazh kandidatëve për deputetë: Asnjë të mos hapë zyra përtej zonës së tij, PS nuk duhet të bëhet tabelë qitjeje
Kryeministri Edi Rama u ka dërguar një mesazh të qartë kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste, duke u kërkuar që të respektojnë zonat e tyre elektorale dhe të mos hapin zyra përtej kufijve të përcaktuar.
Sipas udhëzimit të Ramës, deputetët janë të lirë të zhvillojnë takime kudo, por nuk duhet të përdorin strukturën e partisë për fushatë personale. Ai theksoi se strukturat e PS-së janë në funksion të qëllimit të përbashkët dhe jo për promovimin individual të kandidatëve.
“Asnjë deputet s’duhet të hapë zyra te veta jashtë zonës së caktuar nga drejtuesi politik. Deputeti është i lirë të bëjë takime ku të dojë, por në asnjë mënyrë nuk duhet të përdorë për takimet e tij strukturën. Struktura është në funksion të qëllimit të përbashkët, jo për t’u bërë tabelë qitje e çdo deputeti”, thuhet në mesazhin e kreut të qeverisë.
Gjithashtu, Rama ka tërhequr vëmendjen e kandidatëve të listës së mbyllur, duke i kujtuar se nuk duhet të bëjnë fushatë për emra të veçantë, por vetëm për Partinë Socialiste dhe numrin 5 në fletën e votimit.
“Të gjithëve duhet t‘u thonë tek vota preferenciale jeni të lirë! Po ashtu deputetët në listën e hapur nuk është mirë t’u kërkojnë kolegëve në listën e mbyllur vota në zonën përkatëse, pasi e para i vënë në pozitë të vështirë, e dyta i shtyjnë drejt prishjes së barazisë së garës dhe e treta i bëjnë të çorodisin strukturën”, ka theksuar Rama.
Zgjedhjet e 11 majit po afrojnë dhe udhëzimet e kryeministrit synojnë të mbajnë të organizuar fushatën e PS-së, duke shmangur përplasjet e brendshme dhe konfuzionin mes kandidatëve.
Mesazhi i plote:
“Asnjë deputet s’duhet të hapë zyra te veta jashtë zonës së caktuar nga drejtuesi politik. Deputeti është i lirë të bëjë takime ku të dojë, por në asnjë mënyrë nuk duhet të përdorë për takimet e tij strukturën. Struktura është në funksion të qëllimit të përbashkët, jo për t’u bërë tabelë qitje e çdo deputeti. Deputetët në listë të mbyllur nuk duhet kategorikisht të kërkojnë vota për asnjë deputet në listën e hapur, po vetëm për numrin 5. Të gjithëve duhet t‘u thonë tek vota preferenciale jeni të lirë! Po ashtu deputetët në listën e hapur nuk është mirë t’u kërkojnë kolegëve në listën e mbyllur vota në zonën përkatëse, pasi e para i vënë në pozitë të vështirë, e dyta i shtyjnë drejt prishjes së barazisë së garës dhe e treta i bëjnë të çorodisin strukturën”.