Rama me të rinjtë e FRPD-së: Hero kur je me mua, tradhtar kur më del përballë! Kryeministri thumbon Berishën dhe PD-në

Kryeministri Edi Rama ka pritur në podkastin e tij “Flasim” tre të rinj të Forumit Rinor të Partisë Demokratike në Vlorë, ku ka diskutuar mbi politikën dhe të ardhmen e tyre në këtë fushë.

Gjatë bisedës, Rama ka bërë një koment thumbues ndaj PD-së dhe Sali Berishës, duke thënë se koncepti i “tradhtarit” dhe “të shiturit” është një fenomen banal në politikën shqiptare, veçanërisht brenda Partisë Demokratike.

“Kjo puna e tradhtarëve, të shiturve, të blerëve është një histori shumë banale në vendin tonë. Dhe me thënë të drejtën, është karakteristikë e partisë suaj kjo. Është një mendësi që vjen nga partia e madhe e asaj tjetrës, e që vazhdon tek partia juaj nëpërmjet e dini ju se kujt. ‘O qëndrestar dhe hero kur je me mua, o tradhtar dhe i shitur kur më del përballë’. Kjo është banale, por s’keni çfarë bëni, do ta hiqni,” u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se të rinjtë duhet të çlirohen nga këto mentalitete dhe të ndërtojnë një kulturë të re politike, ku idetë dhe debatet të jenë mbi interesat e ngushta partiake.

Diskutimi me të rinjtë e FRPD-së në podkastin e Ramës u zhvillua në një atmosferë të hapur, ku ata ndanë pikëpamjet e tyre për sfidat dhe mundësitë në politikën shqiptare.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by replika.al (@replikealbania)