Rama me Presidentin e Këshillit Europian në Luksemburg: Synojmë të mbyllim negociatat me BE brenda vitit 2027
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një takim me Presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa, në Luksemburg, ku theksoi angazhimin maksimal të Shqipërisë për të përmbushur të gjitha detyrimet që rrjedhin nga procesi i negociatave dhe për të përmbyllur të gjithë kapitujt e anëtarësimit në Bashkimin Europian brenda vitit 2027.
Takimi u zhvillua në kuadër të konferencës së katërt ndërqeveritare Shqipëri-BE, ku Shqipëria do të hapë zyrtarisht kapituj të rinj në negociatat e anëtarësimit.
“Jam i kënaqur që gjendem këtu me Presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa, i cili me mençurinë dhe përkushtimin e tij ndaj vendit dhe rajonit tonë është diçka që e vlerësoj shumë,” tha Rama gjatë deklaratës për mediat.
Kryeministri e cilësoi ditën si shumë pozitive për Shqipërinë dhe gjithë procesin e integrimit:
“Është një ditë e mirë për ne sepse kemi një tjetër konferencë dhe çelim kapituj të tjerë. Me Presidentin jam shumë mirënjohës për kohën që më ka kushtuar për të zhvilluar një bisedë rreth përparimit që po bëjmë në këtë proces, por edhe për Samitin e ardhshëm të Komitetit Politik Europian, një aktivitet shumë i rëndësishëm për rajonin tonë,” theksoi Rama.
Ai nënvizoi gjithashtu se Shqipëria është “tej mase e përkushtuar për të përmbushur të gjitha detyrimet e kalendarit të negociatave dhe për të mbyllur procesin deri në vitin 2027”.
View this post on Instagram