Rama me batuta në repartin e Zall Herr: Ndjesë që më dëgjuat të shtunë! Të paktën nuk ju dal kur hapni frigoriferin

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një vizitë në repartin e operacioneve speciale në Zall Herr, ku përveç fjalimit mbi prioritetet e mbrojtjes dhe zhvillimit të ushtrisë shqiptare, nuk munguan edhe batutat karakteristike të tij.

Rama u kërkoi me humor ndjesë ushtarakëve që u desh ta dëgjonin në një ditë të shtunë: “Ndjesë që në një ditë të shtunë, megjithëse ju s’keni të shtunë e të dielë, ishit të detyruar të dëgjonit fjalimin tim. Për sa kohë nuk kam dalë akoma në frigorifer, ndihuni mirë, se të paktën kur hapni frigoriferin nuk ju dal unë aty.”

Në mesazhin e tij, kryeministri theksoi synimin për ta bërë Shqipërinë një vend eksportues të prodhimeve ushtarake brenda kësaj dekade. Ai i bëri thirrje të rinjve dhe të rejave që të integrohen në fushën e mbrojtjes dhe u kërkoi gjithashtu shqiptarëve jashtë vendit të kthehen dhe të kontribuojnë, duke garantuar se pagat në këtë sektor do të jenë dinjitoze.