Kryeministri Edi Rama ka mbledhur sot Asamblenë e Partisë Socialiste për Tiranën në një hotel pranë Bashkisë së Tiranës, ku tema kryesore ishte arrestimi i kryebashkiakut Erion Veliaj. Ky i fundit është një nga drejtuesit kryesorë të fushatës elektorale të PS për kryeqytetin.
Në fjalën e tij, Rama e cilësoi situatën si një sulm politik dhe elektoral, duke theksuar se Partia Socialiste duhet të intensifikojë punën për të përballuar këtë sfidë.
“Po na godasin për arsye elektorale. Kjo është një goditje e madhe për PS,” tha Rama. Ai deklaroi se do të angazhohet personalisht në drejtimin e punëve të bashkisë në distancë.
“Unë do të jem edhe kryetar bashkie. Do të takoj të gjithë drejtorët e përgjithshëm për të garantuar funksionimin normal të institucioneve,” theksoi kryeministri.
Sa i përket akuzave ndaj Veliajt, Rama i quajti ato të pabaza dhe të qëllimshme për të manipuluar opinionin publik.
“Janë abuzive detajet e hedhura në publik. Veshjet dhe bizhutë janë blerë për shfaqje kulturore, jo për përdorim personal,” deklaroi ai.
Gjithashtu, Rama ngriti dyshime për mënyrën e trajtimit të çështjes, duke përmendur emrin e hetuesit Nesti Angoni.
“S’ka njeri në Republikë që mund të bëjë një hetim të tillë për gjithë jetën,” shtoi ai.
Pas takimit në Bashkinë e Tiranës, Rama dhe drejtuesit e bashkive socialiste morën pjesë në ceremoninë e 105-vjetorit të shpalljes së Tiranës kryeqytet, e cila u mbajt në Pallatin e Brigadave.