Rama mbi procesin e integrimit në BE: Do t’i përmbushim të gjitha detyrimet
Në nisje të takimit Bashkimi Evropian-Ballkani Perëndimor për Planin e Rritjes, i cili po mbahet në Shkup, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke folur mbi procesin e integrimit në Bashkimin Evropian deklaroi se do t’i përmbushin të gjitha detyrimet.
Në një deklaratë për mediat, Rama tha se kurrë nuk kanë qenë më afër realizimit të një aspirate shumë shekullore dhe shtoi se i vjen mirë që ka një atmosferë të përditshme pozitive në këtë drejtim.
“Sot jemi këtu për një tjetër ndalesë të rrugës së përbashkët që lidhet me zbatimin e Planit të Ri të Rritjes, një plan i cili po ecën si duhet dhe po na afron për ditë e më shumë me Bashkimin Evropian. Ne jemi shumë krenarë sepse kemi praktikisht përmbushur deri më tani të gjitha pikat për zbatim dhe vazhdojmë me pikat e tjera sipas kalendarit”, tha Rama.
Duke folur për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, Rama u shpreh se “Jemi shumë afër dhe besoj shumë që ne do t’i përmbushim të gjitha detyrimet tona siç kemi paraparë edhe afatet me Komisionin Evropian dhe plan i përbashkët do të realizohet plotësisht”.
“Plani i Rritjes është i qartë: ne duhet të japim rezultate, ata nga ana tjetër po ashtu. Ne po bëjmë pjesën tonë, ata të tyren. Kemi një mjet shtesë, që ka të bëjë me atë që është quajtur integrim gradual dhe po zbatohet. Për Shqipërinë, veçanërisht, po ecën shumë, shumë mirë”, tha Rama.
Në Shkup po mbahet sot takimi i liderëve Bashkimi Evropian-Ballkani Perëndimor, ku merr pjesë edhe Komisarja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos.