Rama lëshon në Kuvend edhe McGonigal: S’ka asnjë lidhje me Shqipërinë, qeverinë dhe mua personalisht

Kryeministri Edi Rama ka vendosur që të shkojë sot në Parlament në një mocion me debat të thirrur nga opozita prej javësh.

Rama në fjalën e tij ashtu si në emisione më herët nuk ka pranuar asgjë në lidhje me bashkëpunimin me zyrtarin e lartë amerikan.

Rama në fjalën e tij në parlament ka thënë se “Prej javësh ka shpërthyer një kanal ujërash të zeza në përpjekje për të shfrytëzuar politikisht një proces gjyqësor në SHBA që s’ka asnjë lidhje me Shqipërinë, qeverinë dhe mua personalisht.

Çfarë ka ndodhur konkretisht? Një ish zyrtar i lartë i FBI, ish shefi i kundër inteligjencës amerikane në Nju Jork akuzohet për një bashkëpunim të paligjshëm me oligarkun rus Deripaska. Gjatë hetimeve prokurorët kanë konstatuar edhe një sërë shkeljesh që lidhen me udhëtimet e McGonigal ku akt akuza shënon se ka vizituar Shqipërinë dhe është takuar me mua. Akt akuza nënvizon se ka marrë para borxh nga personi A. Në rreshtat e akt akuzës përmendet edhe hetimi amerikan i parave ruse të PD-së ku shënohet edhe që personi A ka marrë një material nga zyra ime për këtë çështje. Akt akuza flet edhe për një person B këshilltar i jashtëm i imi disa vite më parë. Procesi nuk ka asnjë të akuzuar tjetër përveç McGonigal.

Pavarësisht se pas një hetimi të gjatë për të cilin kam marrë vesh vetëm kur jam pyetur nga një gazetar amerikan i Insider, në të gjithë rreshtat e akt akuzës nuk ka asnjë akuzë dhe asnjë të dhënë tjetër përveç raportimit korrekt të takimeve të mia me zyrtarin e lartë amerikan, apo faktin e vërtetë se ai ka folur me mua për rrezikun rus.

Dihen, njihen dhe shquhen botërisht për nisma të kësaj natyre ata që më akuzojnë mua në këtë sallë. Janë po ata që kur ishin në pushtet i kanë bërë të gjitha të zezat dhe jo vetëm s’ka nevojë për shumë shpjegime rreth tyre, por unë skam ardhur sot dhe s’do të vijë më për ta. Këtu do vijë sa herë të jetë nevoja për respekt të zgjedhësve që përfaqësoj dhe në respekt të deputetëve të shumicës që s’mund t’i lija vetëm.

E kam menduar prej kohës, e kam thënë, përpara se të niste kjo zallamahi se s’do e furnizoj më me energjinë time zjarrin e politikë së përplasjes dhe zhurmës. Nuk kam më dëshirë që të armatosem përditë me fjalorin ulës. Janë ca dhe cika që përsërisin vetveten. Fatkeqësisht jam përfshirë me zell dhe me zjarr për ditë dhe për shumë vite në këtë palo luftë. Jam bërë pjesë e asaj mase të errët, erë e keqe dhe ndjellë keqe që i ka errësuar njerëzit e politikës. duke bërë që të mendohet se jemi thjesht një jashtëqitje e kombit e ndarë përgjysmë. Mjaft më se ka shumë gjëra të tjera për të bërë. thërrisni, bërtisni, hidhuni përjetë sa të doni, por s’keni për të pasur më këtë nder. Mbushini mendjen njëri tjetrit se jam fshehur dhe jam tretur. Po të doni mos u shkulni më kurrë nga revolucioni iluzionist, por mua s’do më keni më palë“,tha Rama.