Rama kundër Berishës për bojkotin e shkollës pas mbylljes së TikTok: Apeli i bufit të kënetës, simptomë lajthitjeje e rrezikshme

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj thirrjeve të ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili u bëri apel nxënësve të bojkotojnë mësimin dhe t’u bashkohen protestës së 15 marsit kundër mbylljes së TikTok në Shqipëri.

Rama e cilësoi këtë thirrje si një veprim të papërgjegjshëm, duke e quajtur Berishën “bufi i kënetës” dhe duke e akuzuar se po dëmton interesat e fëmijëve dhe të prindërve. “Ai u kërkon fëmijëve të protestojnë për TikTok dhe të mos shkojnë në shkollë, duke nxitur prindërit të bashkohen në këtë absurditet. Kjo është këneta jonë opozitare dhe filozofia e saj,” deklaroi Rama.

Sipas kryeministrit, vendimi për të bllokuar TikTok në Shqipëri u mor pas kërkesave të shumta nga mësuesit dhe nuk ka të bëjë me lirinë e fjalës. “95% e mësuesve na kërkuan ta mbyllnim sa më parë. Arsyeja pse u mor vendimi vetëm javën e shkuar lidhet me kapacitetet teknike, jo me liritë individuale,” sqaroi ai.

Ndërkohë, protesta e paralajmëruar e 15 marsit pritet të mbledhë qytetarë që kundërshtojnë mbylljen e platformës, ndërsa qeveria mbetet e vendosur për ndalimin e saj.