Rama kritikon Europën për luftën në Ukrainë: Pse duhej pritur të vinte Trump që të diskutohej paqja? S’duhet të humbim të ardhmen!
Kryeministri Edi Rama, në konferencën e përbashkët me homologen daneze Mette Frederiksen gjatë Samitit të Komunitetit Politik Europian në Tiranë, kritikoi BE-në për mungesën e përpjekjeve të mjaftueshme për ndërtimin e paqes në Ukrainë.
Rama theksoi se Europa duhet të investojë më shumë në mbrojtjen e saj dhe të mos harrojë misionin për paqe të qëndrueshme.
Edi Rama: Mbështes plotësisht idenë që Europa duhet të bëjë më shumë kur vjen fjala për mbrojtjen e saj, kur vjen fjala për të investuar në kapacitetet e saj të vetëmbrojtjes, kjo është afërmendsh. Por nga ana tjetër unë besoj se kjo është njëra anë e medaljes, ana tjetër lidhet me emrin e vetë Europës. Europa ka qenë gjithmonë përfaqësuese e disa gjërave që të tjerët i kanë patur zili dhe mes tyre është aftësia për të parashikuar paqe të përhershme, për ta projektuar atë dhe kapaciteti për të shtyrë në kërkim të paqes edhe të pamundur.
Vetë BE është produkt praktikisht i një ëndrre fëmije të cilën ndoshta askush nuk do ta besonte por ja që ndodhi. Armiqtë për vdekje u bënë aleatë strategjikë. Ndaj besoj që po, na duhet t’i bëjmë të gjitha ato për të cilat ëështë folur për mbrojtjen por të mos harrojmë që na duhet edhe një shpirt që të mbrojmë jo vetëm territorin, por edhe një të ardhme që duhet ta ndërtojmë. Kjo nënkupton që duhet të punojmë në të dyja drejtimet.
Natyrisht ka edhe një pikëpyetje, një pyetje që duhet ta bëjmë… Pse duhej pritur Donald Trump të vinte dhe të merrte në konsideratë armëpushimin dhe paqen? Sepse ne ishim shumë të përkushtuar dhe të apasionuar pas një kauze të drejtë e të duhur, por humbëm ca terren kur vjen fjala për diplomacinë. Për këtë ishte fjala ime, ishte për Europën ideale që nuk duhet ta humbasim nga sytë, se nëse e humbim nga sytë atëhere humbasim diçka që i bën territoret tona më pak me vlerë për t’u mbrojtur.
Këtu është mendimi im, por nuk ka asnjë kontradiktë këtu. Dhe siç e tha Mette, jemi shumë socialistë. Ndoshta nuk jemi socialistët më të mirë duke qenë se fitojmë zgjedhjet shumë, por ky është këndvështrimi im…
Mette Frederiksen : Unë nuk jam socialiste…
Edi Rama : Nuk jemi socialiste?
Mette Frederiksen: Jam socialdemokrate…