Rama kërkon dorëheqjen e drejtorëve në Fier për mosplotësim detyrash
Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në qytetin e Fierit, ku po zhvillon një takim me drejtues vendorë dhe drejtues institucionesh, në kuadër të fushatës për lirimin e hapësirave publike dhe rritjen e performancës së administratës.
Sipas burimeve nga mbledhja që u mbajt në ambientet e bashkisë, Rama ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të të gjithë drejtorëve që varen nga bashkia, si dhe të drejtuesve të institucioneve që nuk kanë përmbushur siç duhet detyrat e tyre.
Burimet bëjnë me dije se dorëheqjet do të bëhen në grup, por jo të gjithë do të shkarkohen – vendimi përfundimtar për secilin do të merret në bazë të performancës në detyrë.
Gjatë mbledhjes, Rama ka folur edhe për zaptimin e hapësirave publike, duke kritikuar gjithashtu pastërtinë e qytetit dhe mënyrën si trajtohen qytetarët. Ai theksoi se nuk mund të injorohet fakti që qytetarët i kanë dhënë votën Partisë Socialiste, duke theksuar se:
“Besimi i qytetarëve duhet të përkthehet në respekt për ta.”