Rama: Kemi të dhëna të frikshme për përdorimin masiv të cash-it, koha që revolucioni digjital të thellohet edhe në pagesa
Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë sot në eventin e çeljes së Programit për Përshpejtimin e Pranimit të Pagesave Elektronike, një nismë e realizuar në partneritet me Mastercard Europe.
Në fjalën e tij, kreu i qeverisë theksoi se hyrja e Mastercard në tregun shqiptar është një hap i rëndësishëm në procesin e digjitalizimit dhe modernizimit të pagesave në vend. Rama u shpreh se është koha që revolucioni digjital të përfshijë edhe sektorin e pagesave, duke lehtësuar transaksionet dhe reduktuar përdorimin e parave cash.
“Kemi të dhëna shumë të frikshme sa i përket përdorimit masiv të cash-it në vendin tonë. Por, nga ana tjetër, një e dhënë pozitive është se kur morëm detyrën, vetëm 30% e qytetarëve kishin llogari bankare, ndërsa sot ky numër ka arritur në 80%. Kemi një masë kritike të popullsisë që mund të angazhohet në këtë proces,” – deklaroi Rama.
Ai gjithashtu theksoi se Shqipëria ka përjetuar një bum turistik dhe të ardhurat nga ky sektor kanë arritur në 5 miliardë euro. Megjithatë, sipas tij, vetëm 4% e transaksioneve kryhen me kartë krediti, duke treguar kështu boshllëkun e madh në këtë fushë dhe nevojën për digjitalizim të mëtejshëm të sistemit të pagesave.
“Mastercard na ka nxjerrë herë pas here me shkëlqim në klasifikimet për vendet më të frekuentuara turistike. Shqipëria sot është në majë si një nga vendet me rritjen më të lartë turistike. Nga ana tjetër, konstatojmë se rritja e të ardhurave nga turizmi ka shkuar në 5 miliardë euro, por vetëm 4% e transaksioneve bëhen me kartë krediti. Kjo tregon se sa i madh është boshllëku dhe sa shumë para, të cilat nuk i takojnë atyre që i mbajnë, duhet t’u shkojnë mbrapsht qytetarëve,” – shtoi kryeministri.
Në fund, Rama nuk ngurroi të ironizojë bankat, duke thënë se janë i vetmi biznes në planet që, kur nuk u ecën mirë diçka, barrën ua kalojnë klientëve. “Qeveria nuk e bën kurrë këtë punë,” – u shpreh ai.