Rama: Kemi bërë kapërcim të jashtëzakonshëm me pak mbështetje, por duhen më shumë fonde
Kryeministri Edi Rama, gjatë një bisede me profesor Selami Xhepa në podkastin “Flasim” këtë të shtunë, ka theksuar progresin e madh që Shqipëria ka arritur ndër vite, pavarësisht mbështetjes së kufizuar nga jashtë.
Rama u shpreh se Shqipëria e ka nisur zhvillimin me një trashëgimi institucionale ndër më të varfrat, por ka bërë një përparim të jashtëzakonshëm krahasuar me vende të tjera të rajonit.
“Kapërcim historik me sfida të mëdha”
“Po t’i marrim vendet dhe t’i rreshtojmë, Shqipëria e ka nisur me trashëgiminë më të varfër institucionale. Nëse shohim kilometrazhin që kanë bërë të gjithë, ne kemi bërë një kapërcim historik. E keqja harrohet dhe e mira duket se s’mbaron. Gjithsesi, sfida jonë mbetet ndryshimi i mëtejshëm dhe përshpejtimi i integrimit drejt Bashkimit Evropian,” tha Rama.
Kryeministri e vuri theksin te rëndësia e mbështetjes financiare nga BE, duke krahasuar ndihmën e marrë nga vende si Polonia dhe Çekia në raport me Shqipërinë. “Ne kemi arritur këtu me shumë pak mbështetje të jashtme. Për të bërë reforma madhore, duhen më shumë fonde. S’mund të bëjmë çdo gjë me forcat tona të kufizuara,” vijoi ai.
Xhepa: Progres i dukshëm në ekonomi
Profesori Selami Xhepa, duke folur për zhvillimet ekonomike, solli në vëmendje përmirësimin e ndjeshëm të treguesve ekonomikë ndër vite. “Në vitin 1986, Shqipëria prodhonte 2 miliardë dollarë mallra, ndërsa sot kjo shifër ka arritur në 23 miliardë. E nisëm me 360 dollarë për frymë dhe tani kemi kaluar 10 mijë dollarë. Kjo tregon që e kemi fituar betejën me të kaluarën, por sfida është të fitojmë atë me të ardhmen,” u shpreh ai.
“Një sfidë e vazhdueshme”
Rama e quajti “sfidë të pashmangshme” faktin që shqiptarët krahasojnë standardin e tyre të jetesës me vendet e zhvilluara si Italia dhe Gjermania. “Kemi bërë progres të madh, por mallkimi ynë është se jemi të rrethuar nga konkurrentët më të fortë. Shqiptarët kanë të drejtë të kërkojnë më shumë,” tha ai, duke e parë integrimin në BE si një hap kyç për të përshpejtuar zhvillimin dhe për të përmbushur pritshmëritë e qytetarëve.
Rama përfundoi duke theksuar se ndryshimi kulturor dhe institucional është një proces i gjatë që kërkon durim, përkushtim dhe mbështetje më të madhe nga partnerët ndërkombëtarë.