Rama jep lajmin: Shqipëria do të hapë një aeroport të ri sezonal përballë Korfuzit
Kryeministri Edi Rama ka njoftuar ndërtimin e një aeroporti të ri sezonal në skajin jugor të Shqipërisë, përballë Korfuzit. Lajmi u bë i ditur gjatë një konference për mediat në Panairin e Turizmit në Berlin.
Sipas Ramës, ky aeroport do të jetë funksional vetëm gjatë sezonit veror dhe do të ndihmojë në përballimin e fluksit të turistëve që udhëtojnë drejt jugut të vendit. “Ka mbingopje të aeroportit të Korfuzit dhe kemi parë nevojën për një aeroport të vogël sezonal”, tha ai.
Kreu i qeverisë gjithashtu njoftoi se së shpejti do të hapet edhe një tjetër aeroport në Veri të vendit, ndërsa aeroporti i kryeqytetit është ai me rritjen më të shpejtë në Europë.
Po ashtu, Rama tha se Shqipëria është në bisedime me aviacionin federal të Shteteve të Bashkuara për fluturime direkte, ndërsa shpreson të ketë së shpejti bashkëpunim edhe me linjën ajrore Qatar Airways.