Rama ironizon opozitën me video të animuar, reagon Basha: 7×7=313, revolucioni ka ardhur! Berisha: Kurrë s’do ketë fitore për ty, tradhtar!
Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video të animuar ironizuese ndaj opozitës në rrjetet sociale, ku shfaqen si personazhe të karikaturuara Sali Berisha, Lulzim Basha dhe Adriatik Lapaj. Me nota sarkastike, Rama vë në lojë përçarjen dhe gjendjen e brendshme të opozitës, duke theksuar se ajo është kthyer në një spektakël humori.
Videoja është shoqëruar me përshkrimin: “Për një të diel me buzëqeshje. Në rolet kryesore: Berisha, Basha dhe Lapaj!”, duke e shndërruar përplasjen mes fraksioneve të opozitës në një skenë teatri politik.
Lulzim Basha reagoi menjëherë përmes një statusi në rrjetet sociale, ku përsëriti mesazhin e tij për “revolucionin qytetar” dhe ironizoi:
“7×7 = 313! Revolucioni ka ardhur dhe askush nuk e ndal dot më!”
Ndërkohë, Sali Berisha, i cili ndodhet në arrest shtëpie, nuk kurseu një tjetër sulm ndaj Ramës, duke e quajtur një “tradhtar” dhe duke deklaruar:
“Kurrë nuk do të ketë fitore për ty, tradhtar! Populli është zgjuar dhe do të flasë me votë e me qëndresë!”
Kjo nuk është hera e parë që kryeministri përdor satirën për të komentuar zhvillimet politike, por kjo video duket se ka ndezur edhe më shumë tensionet mes figurave kryesore të opozitës, që tashmë përballen jo vetëm me qeverinë, por edhe me njëri-tjetrin.