Rama ironizon largimin e Dash Sulës nga PD: E nxori këneta jashtë, tamam si gjel deti i lirë në fushat e Peqinit
Kryeministri Edi Rama ka komentuar largimin e Dashnor Sulës nga Partia Demokratike, duke e ironizuar atë në një takim me të rinjtë në Elbasan. Rama tha se Sula, pavarësisht se fitoi primaret, u përjashtua nga listat e PD-së.
“Dash Sula është tamam gjel deti, nuk mundej dot ta mbante këneta dhe e nxori jashtë, komplet, pavarësisht se ai fitoi primaret,” tha kryeministri. Ai shtoi se i vjen mirë që Sula nuk do të jetë më në Parlament dhe se “nuk ka gjë më të ëmbël në këtë lloj fushe kur kundërshtarin më të vështirë ta vret kundërshtari i vet.”
Rama e cilësoi largimin e Sulës si një manovër politike për të siguruar që “gjelat e detit” të mos ndjekin “bufin e kënetës” pas zgjedhjeve të 11 majit. “Dashi i shpëtoi, se sa e kishte këtu në gurmaz duke e gëlltitur, fluturoi gjeli dhe është i lirë nëpër fushat e Peqinit,” përfundoi ai me ironi.