Rama i përgjigjet komentuesit skeptik: Kafenetë janë plot, ata që rrinë më shumë ulur ankohen më shumë
Kryeministri Edi Rama është përfshirë sërish në një debat virtual në rubrikën “Sy m’sy” në Facebook, duke iu përgjigjur një komentuesi, Xhevahir Sulejmani, që shprehej kundër të drejtës së emigrantëve për të votuar me postë. Sipas komentuesit, emigrantët nuk e dinë realitetin e jetesës në Shqipëri, pasi e shohin vendin si “të veshur mirë nga jashtë, por me të brendshme të copëtuara”.
Në përgjigjen e tij, Rama theksoi se emigrantët kanë një perspektivë më të qartë dhe realiste për disa aspekte të vendit.
“Emigrantët janë më të kthjellët se ne për 3 gjëra”
Rama renditi tri arsye që, sipas tij, e bëjnë këndvështrimin e emigrantëve më të kthjellët:
1.Vlerësimi i progresit në Shqipëri:
“Emigrantët nuk kanë gërr-mërrin e përditshëm të jetës këtu, por mund të vlerësojnë dallimet mes asaj që shohin kur vijnë tani dhe asaj që kanë parë më parë.”
2.Perceptimi i jetesës dhe punës:
“Emigrantët punojnë fort, shpesh me dy punë, pa kushërinj, krushqi apo favore partiake. Ata nuk i kuptojnë ankesat tona kur kafet dhe restorantet janë plot, ndërsa ata që rrinë më gjatë ulur ankohen më shumë.”
3.Rëndësia e imazhit të Shqipërisë:
“Ata e vlerësojnë më shumë reputacionin e Shqipërisë jashtë vendit. Nga një vend që dikur shihej si problematik, sot ata thonë krenarisht se janë shqiptarë.”
“Mos i qaj hallin kalorësit”
Në fund, Rama e mbylli përgjigjen me një thënie të urtë për të qetësuar komentuesin:
“Mos i qaj hallin kalorësit se i varen këmbët. Emigrantët e dinë shumë mirë se çfarë duhet të bëjnë dhe do e shohësh që do e bëjnë.”
Kjo përgjigje ka nxitur një diskutim të gjerë në rrjetet sociale, ku shumë përdorues kanë mbështetur qëndrimin e kryeministrit, ndërsa të tjerë kanë kritikuar këndvështrimin e tij për jetesën dhe sfidat e shqiptarëve në vend.