Rama: Hidhu kënetë, kërceni bretkosa. Zhapa e zhapikë! Berisha ka edhe atë të Trumpit, por do ta shohim
Kryeministri Edi Rama ka ironizuar opozitën dhe ish-kryeministrin Sali Berisha gjatë komunikimit të tij në rubrikën “Sy më sy”. Ai bëri thirrje që në zgjedhjet e 11 majit të votohet Partia Socialiste si garancia e vetme për drejtësi dhe mbështetje për SPAK.
Rama theksoi se opozita kërkon të shkrijë SPAK dhe se mënyra e vetme për të garantuar standarde të drejtësisë është vota për PS.
“Me ata që duan të shkrijnë SPAK, më 11 maj është momenti për të dhënë garanci për drejtësinë. Ka vetëm një mënyrë për këtë: PSSH. Të tjerat, harrojeni!”
Në fund të fjalës së tij, Rama ironizoi ashpër opozitën duke përdorur një gjuhë metaforike.
“Tani këneta le të hidhet, u tërbua, u drogua. Hidhu, kënetë, kërceni bretkosa, zhapa e zhapikë! O buf, dil tani, shaj e shpif! Tani ke edhe atë të Trumpit, por do ta shohim,” tha kryeministri, duke iu referuar Chris LaCivita, këshilltarit të angazhuar nga PD për fushatën zgjedhore.
Rama përfundoi duke thënë se vetëm Partia Socialiste është e aftë të çojë përpara drejtësinë dhe reformat e rëndësishme për vendin.