Rama fton emigrantët shqiptarë nga Greqia: Kush ka shtëpinë e gjyshit në fshat, të kthehet të investojë

Kryeministri Edi Rama ka ftuar emigrantët shqiptarë që kanë prona në fshat, duke i inkurajuar ata të kthehen dhe të investojnë në Shqipëri. Gjatë një deklarate për shqiptarët e Kretës, Rama tha se është miratuar një ligj i ri në Parlament që lejon individët që kanë toka ose shtëpi të rrënuara në fshat, të mund të investojnë pa pagesë taksa dhe pa TVSH për 10 vjet, për aplikantët e parë.

“Çdokush që zotëron një tokë, mund të marrë një vërtetim dhe leje për të rindezur oxhakun në shtëpinë e gjyshit dhe për ta kthyer atë në agroturizëm apo për të investuar në çfarëdolloj rruge”, u shpreh Rama.

Kryeministri po ashtu inkurajoi emigrantët të shqyrtojnë mundësinë e investimeve në Shqipëri, duke theksuar se kushtet dhe mundësitë atje janë më të favorshme se në shumë shtete të tjera. Ai gjithashtu përmendi mundësinë e financimit me kredi me interes më të ulët, nën 3%, për ata që dëshirojnë të investojnë në zonat rurale.

Për të mbështetur këto investime, Rama theksoi se Banka e Shqipërisë ka hapur një linjë kredie të dedikuar për emigrantët që duan të investojnë në fshat.