Rama: Eksportet bujqësore do të arrijnë 1 miliard euro në vitin 2030! Kërkohet rritje e fuqisë së sektorit dhe fermerëve

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se objektivi i qeverisë është që eksportet bujqësore të arrijnë vlerën e 1 miliard eurove në vitin 2030. Në një tryezë diskutimi të organizuar nga Banka e Shqipërisë për financimin në bujqësi, Rama theksoi se kjo arritje kërkon një fuqi të shtuar të sektorit dhe mbështetje për fermerët.

“Ne kemi vendosur një objektiv ambicioz për Shqipërinë e vitit 2030, që eksportet bujqësore të arrijnë në 1 miliard euro,” u shpreh Rama, duke shtuar se eksportet janë katërfishuar gjatë viteve të fundit. Ai theksoi se rritja e fuqisë së sektorit do të vijë përmes investimeve të reja dhe rritjes së sipërmarrjeve në fshat.

Sfida e konkurrencës dhe standardeve të BE-së
Rama vuri në dukje se anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian do të sjellë sfida të reja për sektorin bujqësor, për shkak të standardeve më të larta që kërkohen nga tregu europian. Ai theksoi rëndësinë e përgatitjes për këtë konkurrencë dhe përshtatjes me rregullat e reja.

Në këtë tryezë diskutimi, u nënvizua rëndësia e bashkëpunimit mes sektorit privat, institucioneve financiare dhe qeverisë për të mbështetur rritjen e prodhimit bujqësor dhe promovimin e eksporteve shqiptare në tregjet ndërkombëtare.