Rama: Duan t’i vënë kazmën SPAK dhe reformës në drejtësi, por ne nuk do të ndalemi

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur sot në sheshin “Skënderbej” punonjësit e Bashkisë së Tiranës, ku ka reaguar ndaj sulmeve kundër SPAK dhe Reformës në Drejtësi, duke akuzuar opozitën se po përpiqet t’i shkatërrojë këto institucione.

“Ashtu siç kemi ndryshuar Tiranën me mundime të mëdha, ashtu kemi vendosur të transformojmë drejtësinë në Shqipëri. Ashtu siç shembëm ngrehinat e shëmtuara që kishin varrosur parqet, kemi shembur edhe arkitekturën e vjetër të drejtësisë me Reformën në Drejtësi,” deklaroi Rama.

Ai e krahasoi këtë reformë me transformimin urban të Tiranës dhe theksoi se Vetë SPAK-u dhe institucionet e reja të drejtësisë mund të bëjnë gabime, por kjo nuk justifikon përpjekjet për t’i shkatërruar ato.

“Gabimet tona nuk shkatërrojnë jetë njerëzish, siç ndodh kur gabon drejtësia,” tha Rama, duke shtuar se drejtësia e re ka nevojë për kohë për t’u konsoliduar.

Sipas tij, kundërshtarët e reformës janë të njëjtët që janë përpjekur të pengojnë projektet zhvillimore në vend. “Ashtu siç na u kundërvunë kur nisëm të ndërtonim hyrjen e Zogut të Zi apo sheshin Skënderbej, po ashtu duan t’i vënë kazmën edhe SPAK dhe Reformës në Drejtësi,” u shpreh kryeministri.

Në fund, Rama theksoi se procesi i pastrimit të drejtësisë do të vazhdojë, pavarësisht kundërshtive. “Nëse duam një Shqipëri të drejtë dhe të barabartë për të gjithë, duhet të vazhdojmë këtë rrugë pa lëkundje,” përfundoi ai.