Rama dhe Macron konferencë të përbashkët në Tiranë, diskutime për hekurudhën Durrës-Prishtinë dhe…

Kryeministri Edi Rama dhe presidenti francez Emmanuel Macron kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për shtyp gjatë vizitës së Macron në Tiranë. Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se marrëdhënia mes Shqipërisë dhe Francës ka hyrë në një fazë të re, duke u bazuar në një bashkëpunim më të thellë ekonomik dhe politik.

“Është një ndjesi e jashtëzakonshme që presidenti francez në një kohë kaq të shkurtër viziton sërish Tiranën. Kjo na jep shumë krenari dhe është një sinjal i qartë se marrëdhënia mes vendeve tona po hyn në një fazë të re dhe të panjohur më parë,” tha Rama, duke shtuar se organizimi i samitit të komunitetit politik europian në Shqipëri është një privilegj i veçantë që forcon lidhjet e vendit me Evropën.

Rama konfirmoi gjithashtu se me Macron kanë diskutuar për përfshirjen e Francës në ndërtimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë, një projekt që ai e konsideroi të rëndësishëm për lidhjen rajonale dhe zhvillimin ekonomik.

“Folëm me presidentin për mundësinë e përfshirjes së Francës në ndërtimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë. Kjo është diçka e vogël në përmasë, por shumë kuptimplotë për marrëdhëniet tona,” u shpreh Rama.

Ai përmendi edhe vizitën e mëparshme të Macron në Tiranë, kur të dy liderët vizituan ish-rezidencën e diktatorit Enver Hoxha, e cila po transformohet në një qendër kulturore, duke e cilësuar këtë ndryshim si simbol të transformimit të Shqipërisë.

“Sot e ndjejmë afër Francën edhe në procesin e integrimit europian, dhe rajoni ka fituar një mbështetës besnik dhe të qëndrueshëm në të gjitha proceset transformuese,” përfundoi Rama.