Rama dhe Berisha në veri të Italisë për votat e emigrantëve! Dy mitingje zgjedhore vetëm pak kilometra larg

Fushata elektorale për zgjedhjet e ardhshme parlamentare ka hyrë edhe në territorin e emigracionit, ku liderët kryesorë politikë shqiptarë po përpiqen të fitojnë mbështetjen e diasporës.

Kryeministri Edi Rama dhe lideri i opozitës Sali Berisha do të zhvillojnë këtë të diel dy mitingje të veçanta në veri të Italisë, vetëm pak kilometra larg njëri-tjetrit.

Takimi i Edi Ramës me shqiptarët e diasporës është parashikuar të zhvillohet në Milano në orën 15:00, ndërsa mbështetësit e Berishës do të mblidhen në Breshia, rreth një orë më pas.

Italia dhe Greqia janë dy vendet e para ku kanë mbërritur pakot zgjedhore me postë. Në ditët në vijim pritet të nisë edhe shpërndarja e zarfeve me fletët e votimit, të cilat pas plotësimit dhe respektimit të udhëzimeve, mund të kthehen me postë në Shqipëri.

Sipas të dhënave zyrtare, në Itali janë regjistruar afro 90 mijë votues shqiptarë, ndërsa në total janë 245.953 emigrantë të cilëve u janë dërguar fletët e votimit.