Rama dhe Begaj urojnë 247-vjetorin e pavarësisë së SHBA-ve me disa fotografi
Kryeministri Edi Rama ka uruar 247-vjetorin e pavarësisë së SHBA-ve me disa fotografi të shkrepura ditën e djeshme gjatë ceremonisë së pritjes së ish presidentit amerikan, Bill Clinton në Tiranë. “Gëzuar 4 Korrikun Amerikë. Zoti të bekoftë”, ka shkruar kreu i qeverisë krahas fotografive në Facebook.
Clinton mbërriti mesditën e djeshme në Aeroportin Nënë Tereza ndërsa u prit nga kryeministri Edi Rama në një ceremoni zyrtare në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’. Rama e nderoi ish presidentin amerikan me Yllin e Mirënjohjes Publike, duke theksuar rolin që ai pati për çlirimin e Kosovës.
Clinton fitoi zemrat e shqiptarëve në vitin 1999, kur bindi NATO-n të bombardonte Serbinë e të çlironte Kosovën. Ai vendim ndryshoi kursin e gjithë rajonit, por sidomos jetën e miliona shqiptarëve në Kosovë.
Gjithashtu edhe presidenti Bajram Begaj ka uruar pavarësinë e SHBA-ve me një mesazh në Facebook. Presidenti shpreh mirënjohjen për historinë që lidh vendin tonë me SHBA ndërsa shton se si partnerë strategjikë, Shqipëria është e vendosur për një të ardhme me vlerat e përbashkëta të demokracisë.
“Gëzuar 4 Korrikun 🇺🇸! Mirënjohës dhe krenarë për historinë që lidh Shqipërinë dhe Shtetet e Bashkuara. Si partnerë strategjikë, jemi të vendosur për të ndërtuar një të ardhme në të cilën ruajmë dhe forcojmë së bashku vlerat e demokracisë.”, ka shkruar presidenti Begaj në postimin e tij në Facebook.