Rama batuta me bankierët: 250 mln euro për bujqësinë, një rast i artë për të pretenduar biletën për në parajsë

Gjatë tryezës së diskutimit të organizuar nga Banka e Shqipërisë mbi financimin e 250 milionë eurove në bujqësi, Kryeministri Edi Rama shkëmbeu batuta me bankierët, duke theksuar rëndësinë e këtij investimi për fermerët dhe ekonominë shqiptare.

Në stilin e tij karakteristik, Rama iu drejtua bankierëve duke u thënë se ky është një rast unik për t’u treguar bamirës ndaj fermerëve, gjë që, sipas tij, mund t’i ndihmojë edhe në jetën e përtejme.

“Po ju them të gjithë bankierëve se ky është një rast i artë për ju që të pretendoni një biletë për në parajsë. Kur të kaloni në botën tjetër, mund t’i thoni Shën Pjetrit: ‘Përveçse kemi bërë shumë para me të pasurit, kemi ndihmuar edhe fermerët’. Kjo mund t’jua lehtësojë pak paraqitjen tek Shën Pjetri, se përndryshe vendin në ferr e keni të sigurt,” tha Rama, duke shkaktuar të qeshura në sallë.

Rama e cilësoi këtë investim si një mundësi të madhe për sektorin e bujqësisë, duke i bërë thirrje bankierëve që të jenë më të hapur dhe bashkëpunues për financimin e fermerëve, një sektor që ka ende shumë potencial për t’u zhvilluar.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by replika.al (@replikealbania)