Rama: 21 Janari krim shtetëror, të vendosen para drejtësisë urdhëruesit e zjarrit
Kryeministri Edi Rama në fjalën e mbajtur në Asamblenë e Zgjeruar të Partisë Socialiste në Vlorë, është ndalur sërish te Reforma në Drejtësi dhe vendimi i Gjykatës së të Drejtave të Njeriut për 21 Janarin.
Rama theksoi se PS ishte e vetmja forcë politike që në 111 vite shtet, bëri atë që asnjë pushtet nuk e ka bërë dot deri më sot; i hapën rrugën drejtësisë duke hequr ‘duart’ e pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ nga gjyqësori. Sipas Ramës, Gjykata e të Drejtave të Njeriut konfirmoi atë që ai dhe të majtët e kishin theksuar që në krye të herës, 21 Janari është një krim shtetëror.
Kryeministri kërkoi vendosjen para drejtësisë jo vetëm të atyre që tërhoqën këmbzën e pushkës, por së pari personat që urdhëruan hapjen e zjarrit me plumba të vërtet mbi njerëzit e pafajshëm në mes të Bulevardit.
“Këtë vit në Shqipëri ka rënë një herë e përgjithomon miti i paprekshmërisë së politikanëve dhe është provuar që Reforma në Drejtësi që Partia Socialiste e Edi Ramës kërkoi me ngulm jo vetëm që ka hapur një rrugë të re për vendin, por edhe ka dhënë provën e vetë më domethënëse duke treguar se askush nuk është më mbi ligjin dhe askush nuk është më i paprekshëm në vendin tonë. Padiskutim që kjo kërkon shumë durim. 21 Janari nuk ka ndodhur dje. Ka ndodhur përpara shumë vitesh dhe të gjithë ne e dimë se sa e rëndë është që të vijë 21 Janari tjetër, dhe tjetri, dhe tjetri, dhe tjetri, dhe tjetri, dhe ata të cilët duhet të përgjigjen për atë krim të vazhdojnë dhe të përqeshin e të përqeshin e të përqeshin viktimat e 21 Janarit.
Nga ana tjetër askush nuk duhet të harrojë se në këtë sistem që kemi zgjedhur, drejtësinë lavdi Zotit nuk e bën as partia, as qeveria, as shteti, por vetëm drejtësia. Dhe nëse sot ka një arsye për t’u ndjerë disi të lehtësuar në raport me 21 Janarin, për të cilin ne kemi pasur që në krye të herës barrë sa i përket drejtësisë, sot e shikojmë që së pari rruga e drejtësisë është e hapur dhe e dyta, është shumë e qartë se drejtësia për 21 Janarin mund të vonojë ca por s’ka për të munguar.