Rajoni nën rrethim: ”Brishtësia e Ballkanit Perëndimor”/Rama: Media sociale po dëmton shëndetin mendor të fëmijëve

Sulmet kibernetike dhe rasti Iran-Shqipëri, është një tjetër pikë që u prek në temën “Rajoni nën rrethim: Brishtësia e Ballkanit Perëndimor” në forumin e sigurisë GLOBSEC 2024 në Pragë, ku Kryeministri Edi Rama foli në një panel për rrezikun e desinformimit nga mediat sociale.

Në fjalën e tij, Rama theksoi se media sociale po dëmton shëndentin mendor të fëmijëve dhe duhen bërë një sërë rregullash për botën dixhitale.

“Përpara se sa të shkojmë te pika ku ngremë pyetjen se çfarë duhet të ndodhë që ta konsiderojmë luftën kibnertike luftë të mirëfilltë dhe të kundërsulmojmë sipas një kuadri rregullash, na duhet të ngremë pyetjen çfarë shkeljesh të shëndetit mendor dhe fizik duhet të ndodhin te fëmijët tanë për ta konsideruar median sociale problem të mirëfilltë? Jemi ende mjaft larg nga drejtimi si duhet i botës dixhitale në tërësi që ndërkohë vazhdon të ndodhë e të fitojë terren duke sjellë mjaft të mira por edhe kërcënime, edhe mjaft pasoja. Të mos reagojmë ndaj këtyre çmendurive që ndodhin ndaj fëmijëve tanë, komuniteteve, opinioneve tona publike përmes këtij vëllimi disinformimi, është e papërgjegjshme”.

Kryeministri shqiptar përsëriti qëndrimin dhe bindjen e fortë se destinacioni final i Shqipërisë është Europa, sikundër u shpreh se në disa vende të Ballkanit Perëndimor, Presidenti rus ka popullaritet.

Nuk jemi eurokratë të mirë, ne jemi europianë por jemi shqiptarë. Pa rezervë duhet të bëhemi anëtarë të BE, pa asnjë rezervë jemi anëtarë të NATO dhe jemi kundër agresionit rus në Ukrainë. Ne jemi një vend ku në përgjithësi është shumë e qartë se ku përkasim. Ndërkohë nuk vlen kjo për gjithë rajonin. Popullariteti i Putin në Shqipëri është nga 1 në 1 përqind e pak. Ndërkohë ka vende të rajonit ku Putini është më popullor se Joe Biden apo Kamala Harris. Çështja është si ta bëjmë bashkë këtë rajon dhe ta integrojmë plotësisht në BE”, deklaroi Kryeministri Edi Rama.