Këshilli i Ministrave ka liruar nga detyra prefekten e Qarkut të Fierit, Rajmonda Balilaj, e cila disa ditë më parë u pezullua nga detyra për “Shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, gjatë periudhës që ka qenë kryebashkiake e Patosit
V E N D I M
PËR
LIRIMIN NGA DETYRA TË PREFEKTIT TË QARKUT TË FIERIT
Në mbështetje të neneve 100 e 114 të Kushtetutës dhe të nenit 5, të ligjit nr.107/2016, “Për prefektin e qarkut”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Znj. Rajmonda Balilaj, prefekt i Qarkut të Fierit, lirohet nga kjo detyrë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
Njoftimi i GJKKO:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka kryer hetime në kuadër të procedimit penal Nr. 82, të vitit 2021, për veprat penale të “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258 e 25 i Kodit Penal (para ndryshimeve sipas ligjit nr. 43/2021) dhe “Falsifikimi i dokumentave”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 186/2 i Kodit Penal.
Pas kryerjes së veprimeve hetimore, me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin Nr. 19, datë 08.03.2024, ka vendosur:
Caktimin e masës ndaluese të sigurimit “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, parashikuar nga neni 242 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim R.B., me detyrë ish Kryetare e Bashkisë Patos, aktualisht Prefekte e Qarkut Fier, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim (2 herë), parashikuar nga neni 258 e 25, i Kodit Penal (para ndryshimeve sipas ligjit nr. 43/2021).
Caktimin e masës ndaluese të sigurimit “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, parashikuar nga neni 242 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim Sh.B., në cilësinë e anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, aktualisht me detyrë Sekretar i Përgjithshëm i Bashkisë Patos, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim (2 herë), parashikuar nga neni 258 e 25 i Kodit Penal (para ndryshimeve sipas ligjit nr. 43/2021).
Caktimin e masës ndaluese të sigurimit “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, parashikuar nga neni 242 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim A.P., në cilësinë e Kryetarit të Vlerësimit të Ofertave, me detyrë ish Nënkryetare e Bashkisë Patos, aktualisht e punësuar pranë Shoqërisë Rajonale Ujësjellës Kanalizime Fier, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim (2 herë), parashikuar nga neni 258 e 25 i Kodit Penal (para ndryshimeve sipas ligjit nr. 43/2021).
Caktimin e masës shtrënguese të sigurimit “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 242 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim E.R., me cilësinë e anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim (2 herë), parashikuar nga neni 258 e 25 i Kodit Penal (para ndryshimeve sipas ligjit nr. 43/2021).
Caktimin e masës ndaluese të sigurimit “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, parashikuar nga neni 242 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim B.M., me detyrë Secialiste Urbaniste, në Drejtorinë e Urbanistikës, pranë Bashkisë Patos, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumentave”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 186/2 i Kodit Penal.
Caktimin e masës shtrënguese të sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim V.N., me detyrë ish Drejtor i Drejtorisë së Monitorimit dhe Shërbimeve Publike, pranë Bashkisë Patos, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumentave”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 186/2 i Kodit Penal.
Caktimin e masës shtrënguese të sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim A.M., me detyrë ish Inxhinier pranë Bashkisë Patos, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumentave”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 186/2 i Kodit Penal
Byroja Kombëtare e Hetimit, ka ekzekutuar në datën 09.03.2024, masat e sigurimit të caktuara me vendimin nr.19, datë 08.03.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj gjashtë të hetuarve (për një nga të hetuarit nuk është bërë i mundur ekzekutimi pasi ndodhet jashtë shtetit).
Faktet penale të hetuara në kuadër të këtij procedimi penal, kanë të bëjnë me dy procedura prokurimi të organizuara në vitin 2021, nga Bashkia Patos, si Autoritet Kontraktor dhe më konkretisht:
Hetimi i procedurës së prokurimit “Ndërtim emergjent i murit mbajtës me gabiona dhe gurë në Dukas-Breg, si pasojë e rrëshqitjes së tokës dhe kthimin e rrugës në gjëndjen e mëparshme”, me numër REF-89301-03-08-2021, me Autoritet Kontraktor-Bashkia Patos, me fond limit 6,758,853.92 lekë.
Rezulton se ish Kryetarja e Bashkisë Patos, R. B. dhe anëtarët e KVO-së A. P. (ish Nënkryetare e Bashkisë Patos), Sh. B. dhe E. R., në bashkëpunim mes tyre, kanë konsumuar elementët e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga nenet 258 (para ndryshimeve me ligjin nr. 43/2021 ), e 25 të Kodit Penal, duke favorizuar në kundërshtim me ligjin, dhe shpallur fitues operatorin ekonomik “G……. 001”, në procedurën e prokurimit “Ndërtim emergjent i murit mbajtës me gabiona dhe gurë në Dukas-Breg, si pasojë e rrëshqitjes së tokës dhe kthimin e rrugës në gjendjen e mëparshme”, me numër REF-89301-03-08-2021. Nga dokumentacioni i dorëzuar nga ofertuesit, e parë kjo në raport me kriteret e vendosura në Dokumentet Standarte të Tenderit, duhej të ishte shpallur fitues operatori ekonomik “2…”, i cili përveçse përmbushte kushtet, kishte dhe ofertë në vlerën 1,5 milion lekë më të vogël se operatori “G….. 001”.
E hetuara R. B., ka ndërmarrë një sërë hapash nëpërmjet punonjësve të Bashkisë, për të legjimituar anulimin e procedurës së tenderimit, pikërisht për të mos u shpallur fitues operatori “2…..” gjë që do të nxirrte zbuluar punimet e kryera nga operatori i paracaktuar për të fituar garën. Nga hetimi u provua se e hetuara ka paracaktuar fituesin e këtij tenderi, pikërisht operatorin “G……. 001”, i cili është shpallur fitues (që nga viti 2019, kur ky subjekt është regjistruar për herë të parë në QKB deri në vitin 2022, pra për tre vjet) në 32 procedura të organizuara nga Bashkia Patos.