‘Radio Eska’: Shqipëria, destinacioni perfekt për pushime në 2024

Shqipëria, çdo vit po bëhet gjithnjë e më e popullarizuar në mesin e turistëve polakë, megjithëse ende nuk është një vend i prekur nga turizmi masiv, shkruan Joanna Dembek në një artikull të botuar në radiostacionin polak “Radio Eska”.

Ky vend i fshehtë në Gadishullin Ballkanik ka tërhequr vëmendjen e turistëve falë çmimeve të përballueshme, por edhe atraksioneve të mrekullueshme.

Shqipëria ndodhet në pjesën juglindore të Evropës. Ajo kufizohet me Malin e Zi, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë.

Vendi mesdhetar ka dalje ne detin Adriatik dhe detin Jon.

Shqipëria është një destinacion jo shumë i njohur për pushuesit e huaj, por kjo po ndryshon për shkak të ofertave tërheqëse për udhëtime dhe reputacionit në rritje të këtij vendi.

Gjithashtu, Shqipëria është destinacioni ideal për udhëtarët që përveç relaksit në resorte, duan të eksplorojnë qoshe të panjohura dhe misterioze.

Pra, pse ia vlen të kaloni pushimet tuaja në Shqipëri? Qëndrimi për një javë në Shqipëri kushton deri në 350 euro.

Shqipëria është destinacioni ideal për pushime në plazhet e bukura me rërë, të rrethuara nga kodrat magjepsëse dhe ujërat e kristalta bruz.

Plazhet më të njohura në këtë rajon janë: Ksamili, Gjipeja, Dhërmiu, Borshi, Dhërmiu, Mango, Jala dhe Saranda.

Qyteti bregdetar, Saranda është destinacioni më i pëlqyer nga turistët e huaj falë atraksioneve të shumta.

Në Shqipëri mund të shijoni peizazhet e mrekullueshme të pasura me shkëmbinj, laguna, shpella dhe male.

Në veri, mund të provoni të ecni në Alpet Shqiptare ose të vizitoni liqenin e bukur të Komanit të rrethuar nga kodra të pyllëzuara dhe shpate të pjerrëta.

Vizitorët rekomandohen të bëjnë një udhëtim në Gjirokastër-Qyteti i Gurtë dhe Berat-qyteti i një mbi një dritareve.

Të dy qytetet janë përfshirë në listën e UNESCO-s si qytet-muze.

Shqipëria ofron një klimë fantastike mesdhetare. Në verë, temperatura mesatare arrin në 30-40 gradë Celsius.

Në sezonin nga qershori deri në gusht mund të shijoni ditët e nxehta me diell.

Çmimet janë gjithashtu joshëse. Ju mund të akomodoheni me çmime që variojnë nga 12 euro deri në afërsisht 190 euro nata.

Ju do të paguani rreth 7 euro deri në 12 euro për një darkë në një restorant të mirë, dhe produktet në dyqanet ushqimore kushtojnë më lirë se në Poloni.atsh